SERBËT NË VERI ME KËRKESA PËR LARGIMIN E BARRIKADAVE

Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës, janë kushte për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një protestë të mbajtur të enjten në Rudarë, në veri të Kosovës. Protesta u mbajt në vendin ku ndodhet një nga nëntë barrikadat e ngritura nga popullata vendase serbe pas arrestimit të ish-policit kosovar, Dejan Pantiq. “Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim vetëm pse jemi serbë”, tha Rakiq para turmës.  Kjo protestë erdhi në kohën kur në veri janë bërë 13 ditë që kur serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në atë pjesë të vendit. Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth heqjes së barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. Sipas policisë, deri më tani janë vendosur nëntë barrikada në veri të Kosovës e krahas kësaj, pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak mbesin të bllokuara.

SHARE