SOT U MBAJT SEANCA E XXV E KUVENDIT TË KOMUNËS SË TUZIT

Sot ka perfunduar seanca e fundit e Kuvendit të komunës së Tuzit për vitin 2022. Në seancën e XXV me 20 pika të rendit të ditës u aprovua buxheti i komunës së Tuzit për vitin 2023 në vlerë mbi 8.2 milion euro dhe vendimi mbi vendosjen e përmendores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. 20 pikat e rendit të ditës për të cilat u diskutua sot në Kuvendin Komunal,  u votuan me votat e këshilltarëve të pozitës. Me përjashtim të këshilltarit Enis Gjokaj nga rralla e UDSH-së i cili në fillim të seancës u largua me argumentin se nuk e sheh të arsyeshme pjesëmarrjen pasi që nuk kishte ndonjë konsultim apo koordinim me këtë parti sa i përket buxhetit, vendosjes së përmendores së Skënderbeut apo emërimin e kopshtit në Tuz. Nga rralla e opozitës prezent ishin vetëm këshilltarët, Ellvir Kajoshaj dhe Daniella Gjelaj të cilët mbështetën këto vendime. Partia Boshnjake ishte e përmbajtur në rendin e ditës ku u përmend çështja e emrit të kopshtit në Tuz, këshilltari Mevlludin Dizdareviq sa i përket buxhetit, kërkoi që të bëhet një analizë sipas bashkësive lokale mbi taksat e grumbulluara dhe në bazë të kësaj të bëhen investimet. Pika e 3 e rendit të ditës ishte vendimi mbi përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e plotë të pasurisë së paluajtshme për ndërtimin e objektit lokal me interes të përgjithshëm – varreza e qytetit në Dheun e Zi e që ishte në pronësi të „Plantacioneve – 13 korriku“, ndërsa ajo do shkoj në pronësi të komunës së Tuzit kurse mjetet financiare për pagesën e kompensimit do të sigurohen nga buxheti i komunës së Tuzit.  Është miratuar edhe vendimi mbi përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e plotë të patundshmërive për shkak të rindërtimit të rrugës Podgoricë – Tuz, nga ura e Zharnicës në lumin Cem deri në kthesën për Shipshanik. Po ashtu, është aprovuar vendimi mbi blerjen e truallit për ndërtimin e objektit të shkollës në Dhe të Zi. Ndër të tjera në seancë janë aprovuar planet vjetore të ndërmarrjeve publike.

SHARE