NË PALLATIN E BRIGADAVE NË TIRANË U ZHVILLUA MBRËMJA E XHUBLETËS

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë u zhvillua mbrëmja e Xhubletës, tanimë pasuri e deklaruar e mbarë njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit. Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, studiues, gra dhe vajza nga Malësia e Madhe të veshura me xhubletë, etj. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në fjalën e saj tha se “ kjo veshje kaq magjike me kaq hijeshi e thjeshtësi i kthen këto gra në zana dhe këtë objekt në log bjeshkësh”. “Për atë që jemi të gjithë krenarë sot dhe gëzojmë që tashmë xhubleta është e gjithë njerëzimit jo vetëm e jona është një gëzim i lidhur me mistiken që ky kostum madhështor mbart me vete. Sot e shikojmë këtë sallë të mbushur plot e përplot me dallgë xhubletash, por dy vjet më parë u ndërgjegjësuam që nëse nuk do të lëviznim edhe xhubleta rrezikonte të kthehej në një kujtim, në një kornizë. Përballë këtij rreziku vrapuam ta kapnim kohën e humbur për ta kthyer shpëtimin e xhubletës në një mision”, nënvizoi Margariti. Ministrja Margariti u shpreh se “ishte një mision që nuk do të arrinim ta bënim vetëm. Falënderoj të gjithë miqtë që na u bashkuan për përgatitjen e 4 dosjeve për në UNESCO”. “Xhubleta nuk është thjesht një rend, është një kod ato e qepin me një harmoni përsosmëri me ato kallëpet që po mundohemi t’i zbulojmë se cilat janë ato magjitë e të gjitha formave perfekte e kësaj kambane që tingëllon bukur në trupin e tyre dhe lëviz ajri në mënyrë të magjishme”, tha Margariti. Gjatë mbrëmjes së organizuar në ambientet e ministrisë vajza e gra treguan për të pranishmit teknikat e qepjes dhe qëndisjes së xhubletës. Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor të këtij viti në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. 

Në këtë mbrëmje e pranishme ishte edhe Tole Lekja Berishaj, 96 vjeçarja nga Tuzi, e cila foli për vlerat e xhubletës. Tole Lekja me duart e saja, pothuajse gjithë jetën e sajë ka punuar xhubleta malësore. “Xhubletën e kam mësuar 70 vite më parë dhe nuk e kam lëshuar kurrë. Nuk e mendoja se do të vinte kjo ditë edhe pse e kam dashur me zemër. E kam punuar këtë veshje me qejf ditë e natë, që kjo kulturë të përhapet e mos të humbët”, tha ajo. Tole Lekja në shënjë mirënjohje i ka dhuruar Kryeministrit Edi Rama një xhubletë të punuar nga duart e saj, e cila iu dorëzua ministres së Kulturës. Ministrja Margariti tha se “do të jetë pjesë e koleksionit të muzeut të dhuratave të çmuara në Kryeministri”.

SHARE