KOSOVA I KA VOTAT E GATSHME PËR FAZËN E PARË TË ANËTARËSIMIT NË KËSHILLIN E EVROPËS

Zëvendës/ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka deklaruar se Kosova i ka votat në favor të saj për të kaluar fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në tryezën “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës: Sfidat dhe perspektiva” të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), u diskutuan sfidat dhe aspektet politike dhe juridike të Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE). Zv/ministri Ahmeti tha se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, përpos Malit të Zi, pret që Kosova të anëtarësohet në afat rekord në KiE, megjithatë tha se “nuk e di se kur ky proces do të përfundojë”. Ai tha se institucionet kosovare kanë bërë lobim intensiv që nga aplikimi në KiE, veçanërisht në Strasburg dhe ambasada kosovare në këtë, përfaqësuesit e të cilës zhvilluan rreth 200 takime. “Si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës i ka tashmë votat e gatshme për ta kaluar fazën e parë në nivelin e ambasadorëve të komitetit të ministrave dhe këto janë edhe me konstruktivitet të disa vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, theksoi Ahmeti. I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha që pret që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. “Të gjithë janë të vetëdijshëm se shumica e shteteve që janë anëtare në KiE nuk i kanë dispozitat kushtetuese-ligjore më të mira se Kosova”, theksoi Tahiri duke shtuar se e gjithë fryma institucionale dhe kushtetuese në Kosovë, është multi-etnike.

SHARE