DENDIAS NË PRISHTINË: DIALOG / MINISTRI I JASHTËM GREK FLET PËR MARRËVESHJE ME DIALOG KOSOVË-SERBI

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim në Prishtinë homologun e saj grek, Nikos Dendias. E në vizitën e tij të tretë në Kosovë për këtë vit, ai u shpreh se dialogu është rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë. “E mbështesim dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit me qëllimin e arritjes së një  marrëveshjen ligjërisht të obligueshme dhe sipas ligjeve ndërkombëtare. Është e rëndësishme të respektohen nga të dyja palët të gjitha marrëveshjet e arritura, ky ishte mesazhi im i qartë edhe në Beograd dje“, tha Nikos Dendias, ministër i Punëve të Jashtme. Shefi i diplomacisë greke foli edhe për çështjen e veriut, duke thënë që nuk duhet lejuar një palë e tretë të përshkallëzojë situatën. “Nuk duhet të lejojmë palët e treta që të shfrytëzojnë rastin e të shkaktohet jostabilitet në rajon, në këtë drejtim mbështesim rolin e EULEX-it për stabilizim dhe mbështesim në punën e tyre edhe të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe atë të SHBA-së, Gabriel Escobar”, u shpreh Dendias. Në takimin mes ministrave të jashtëm të të dyja vendeve u fol edhe për energjinë dhe forcimin e bashkëpunimit.

SHARE