DITA E DHJETË E BLLOKIMIT TË RRUGËVE NË VERI TË KOSOVËS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja kanë kërkuar kohë për zhbllokimin e rrugëve në veriun e vendit, ndërsa theksoi se bllokada e tillë nuk mund të lejohet për një kohë të gjatë. Për të dhjetën ditë me radhë, grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore të cilat çojnë në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Pra, ne jemi në bashkërendim, në komunikim intensiv, të rregullt e të vazhdueshëm me KFOR-in dhe padyshim që nuk do të mund të tolerohen edhe shumë gjatë barrikadat e tilla. Por, mos harroni se ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë, të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi, është fillimi i fazës së fundit të tyre”, tha kryeministri Kurti. Një grup qytetarësh nga Serbia protestoi të dielën në anën serbe të vendkalimit kufitar me Kosovën në Jarinjë, në mbështetje të serbëve në veriun e Kosovës. Policia e Serbisë nuk lejoi afrimin e protestuesve në vendkalimin kufitar ndërsa në anën e Kosovës forcat e KFOR-it bllokuan rrugën duke vendosur automjete ushtarake dhe tela me gjemba për shkak të siç u tha pranisë së mundshme të grupeve të organizuara kriminale në mesin e protestuesve. Kryeministri Kurti tha se protestat si ajo e së dielës kanë për qëllim destabilizmin e Kosovës. “Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, e të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik, Putin. Pra ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë të destabilizojnë Kosovën, do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje”, tha ai. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve të ulin tensionet dhe t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në bazë të një propozimi që u bë i njohur si nisma franko-gjermane e cila parasheh normalizimin e marrëdhënieve që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

SHARE