NEGOCIATAT, NË FAZËN KU KËRKOHET MOBILIZIM PËR TË VIJUAR REFORMAT

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann mori pjesë sot në veprimtarinë “Roli i Kuvendit në integrimin evropian të Shqipërisë”, ku i bëri thirrje politikës, por edhe shoqërisë civile që të bëhen bashkë me qëllim anëtarësimin në BE. Në fjalën e saj, ambasadorja Hohmann tha se “Shqipëria ka marrë një hap të madh drejt rrugëtimit, me çeljen e negociatave. Unë shpesh kam theksuar se negociatat për në BE janë shumë më shumë se një proces teknik. Kjo është një fazë që kërkon udhëheqje të fortë politike dhe mobilizim për të vijuar me reforma, që janë edhe të vështira por duhen për të plotësuar kriteret në BE”. Ambasadorja Hohmann u shpreh se “Shqipëria ka një dëshirë tejet të madhe për Evropën, ndaj i bëj thirrje përfaqësuesve të Kuvendit, qeverisë dhe shoqërisë civile për t’u bërë bashkë e për të punuar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Delegacioni i BE-së do të mbetet një partner i afërt me Kuvendin e Shqipërisë në këtë rrugë me sfida drejt anëtarësimit në BE”, theksoi ajo.

SHARE