BE-ja MIRATON STATUSIN E VENDIT KANDIDAT PËR BOSNJËN

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situata në vendet e përfshira në këtë proces, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, mbizotëruan në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së, në Bruksel. Në këtë takim, ministrat e bllokut kanë miratuar disa përfudime për përparimin e vendeve në procesin e zgjerimit. Ministrat kanë përshëndetur përparimin që ka bërë Kosova në procesin e reformave, në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa kanë kërkuar nga vendi që të vazhdojë përpjekjet për luftë kundër krimit të organizuar. Në takimin e së martës ministrat e BE-së arritën dhe dakordësinë për t’i dhënë Bosnje e Hercegovinës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Vendim i cili shoqërohet me kërkesat për Bosnje e Hercegovinën që të ndërmarrë hapa për forcimin e ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe menaxhimit të migracionit dhe të drejtave themelore. nga ana tjetër BE-ja ka shprehur zhgënjim me Serbinë për ecjen prapa që ka bërë në përshtatjen e qëndrimeve të saj me ato të BE-së, sa u përket çështjeve të politikës së jashtme dhe sigurisë. në dokumentin e miratuar, mirëpritet edhe nisja e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë, si dhe mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Në përgjithësi, vendeve të rajonit u është kërkuar që të angazhohen edhe më shumë në bashkëpunimin rajonal, forcimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.

SHARE