ZELENSKY KËRKON NDIHMA URGJENTE, NDËRSA ALEATËT MBLIDHEN NË PARIS

Franca ka mbledhur të martën donatorët ndërkombëtarë për një konferencë të përqëndruar tek ndihma për Ukrainën, infrastruktura e së cilës po sulmohet nga forcat ruse. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se qëllimi i konferencës është ta ndihmojë popullin ukrainas “të kalojë stinën e dimrit”. Presidenti ukrainas tha nëpërmjet një lidhjeje videofonike se vendit të tij i nevojiten gjeneratorë energjie, po aq sa i nevojiten edhe autoblindat për forcat e armatosura. Nëpërmjet një videokonference, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha aleatëve të mbledhur në Paris të martën se nevojiten të paktën 800 milionë Euro për asistencë emergjence për furnizimin me energji gjatë dimrit, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të godasin objektiva civile në mbarë vendin. Presidenti francez Emmanuel Macron ka ftuar përfaqësues të mbi 70 vendeve dhe institucioneve për të diskutuar se çfarë mund të bëhet nga tani deri në muajin mars për të ruajtur furnizimin e Ukrainës me ujë, ushqime, dhe energji, si dhe për të ndihmuar sistemin e saj të kujdesit shëndetësor dhe transportin, ndërsa kanë filluar ngricat e dimrit. “Në zemër të ofensivës ruse pas humbjeve ushtarake të javëve të fundit është zhytja e popullit ukrainas në dëshpërim dhe sulmimi në një mënyrë të papranueshme i infrastrukturës civile, ndërprerja e ujit, ndërprerja e elektricitetit dhe zhytja e popullsisë në errësirë dhe të ftohtë. Prandaj ne jemi mobilizuar që t’i ndihmojmë ata të rezistojnë”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron. Presidenti Zelensky u tha pjesëmarrësve se po aq sa i nevojiten autoblindat për forcat e armatosura, vendit të tij i nevojiten edhe gjeneratorët e energjisë.

SHARE