Kurti: Pas 23 vitesh nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënon sërish me luftë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pas 23 vitesh nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia po kërcënon sërish me luftë dhe kthimin e ushtrisë në territorin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti tha se Beogradi zyrtar po flet aktualisht si para 23 vitesh dhe është nën udhëheqje e një kaste politikanësh që dikur ishin pjesë e regjimit të Millosheviqit.

“Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, në esencë vazhdon të kërkojë luftën, luftën të cilën e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999. Andaj, edhe mohimi i shtetit të Kosovës dhe i pavarësisë sonë nga ana e Serbisë përbën kërcënim të vazhdueshëm jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për ekzistencën tonë”, theksoi Kurti.

Kryeministri Kurit tha se në veri të Kosovës paqja mbeti përherë e brishtë derisa integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas dialogut prej më shumë se një dekadë në Bruksel.

Me këtë rast, kryeministri kosovar i ka bërë thirrje misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) që ta garantojë lirinë e lëvizjes në veri duke theksuar se KFOR-i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurt i cili nënkupton lirinë e lëvizjes pa dallim.

“Bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lëvizjen e lirë nga bandat kriminale që qëllojnë mbi policinë tonë e mbi policinë e EULEX-it, jo vetëm që është i papranueshëm por duhet të jetë edhe i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim, nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje, le të quhet zbutje, por për të mirën e përgjithshme besoj që megjithatë jemi duke zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, theksoi Kurti.

Ai shtoi se me veprimet e fundit në veri po del “qëllimi i vërtetë i dorëheqjeve të policëve nga Policia e Kosovës i urdhëruar nga Beogradi”, në mënyrë që bandat kriminale të kenë sigurinë e plotë që kur të qëllojnë njerëzit e uniformuar të jenë të sigurt se ata nuk janë serbë.

Sa i përket mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri tha se diskutuan së bashku dhe erdhën në përfundim për më shumë vigjilencë dhe gatishmëri të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në mënyrë që të mundësohet vendosja e paqes, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se tashmë ka bërë apel tek organizatorët që të largojnë barrikadat e vendosura në rrugë në pjesën veriore të vendit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos bëhen pjesë e grupeve kriminale në veri.

“Policia e Kosovës ka kapacitetet e duhura që të veprojë në këtë drejtim. Ajo bën planet e saj operative dhe në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, në qoftë se barrikadat nuk hiqen atëherë do të ndërmarrin veprime duhura. Gjithë kjo është duke ndodhur në koordinim edhe me partnerët tanë, KFOR-in, EULEX-in dhe shtetet e QUINT-it dhe unë besoj se shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën ku nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë nacionale”, theksoi Sveçla.

Së fundmi, duke patrulluar në afërsi të barrikadës së vendosur në lokacionin Rudarë në veri u sulmua edhe një patrullë e misionit EULEX.

Pas sulmeve ndaj Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) me shok-bomba në afërsi të barrikadave të vendosura në Rudar, ka reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell. Ai ka thënë se BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it.

“BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e dhunës dhe akteve kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të kthehet. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithë aktorët duhet të evitojnë përshkallëzimin”, shkroi Borrell.

Po kështu edhe zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, e ka dënuar fuqishëm sulmin me shok-bombë ndaj Misionit EULEX.

“Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkroi Lungescu në rrjetet sociale, duke shtuar se KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për ta kryer mandatin në Kosovë.

SHARE