Kosovë, është sulmuar një patrullë e Misionit EULEX në veri

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka njoftuar se është sulmuar një patrullë e këtij misioni me shok-bombë në mbrëmjen e së shtunës në afërsi të barrikadës së vendosur nga serbët lokalë në Rudarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

EULEX në një njoftim për media ka thënë se nga ky sulm nuk ka të lënduar, ndërsa po ashtu nuk janë shkaktuar as dëme materiale.

EULEX i ka dënuar fuqishëm sulmet duke thënë se ato janë të papranueshme, duke i bërë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët e sulmeve të sillen para drejtësisë.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar. EULEX do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet. Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”, thuhet reagimin e këtij misioni.

Bashkë me EULEX-in, edhe Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) po qëndrojnë disa metra larg barrikadave që janë vendosur në Rudar nga serbët lokalë.

Dje gjatë patrullimit janë sulmuar në veri edhe pjesëtarët e Policisë së Kosvoës nga grupe të caktuara kriminale të cilat kryen bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, të cilat qojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

SHARE