KOMISIONI EVROPIAN DO TË MBËSHTESË QËNDRIMIN E KOMISIONIT TË VENECIAS PËR LIGJIN PËR PRESIDENTIN

Komisioni Evropian (KE) pret që Komisioni i Venecias të shpallë opinionin e tij për ndryshimet në Ligjin e Presidentit deri në fund të javës dhe do të mbështesë vlerësimin e tyre, u njoftua gjatë takimit përgatitor të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim në Bruksel. Komisioni Evropian tha se prioritet kyç për momentin është gjetja e rrugës nga kriza politike, si dhe sigurimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. “Përpjekja e Kuvendit për ndryshimin e kompetencave të presidentit është e ndjeshme në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Është kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias, presim të publikohet këtë javë dhe do të mbështesim vlerësimin e tyre”, tha Kirsi Pekuri nga njësia politike për Malin e Zi në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR). Ajo kujtoi se për përparimin e mëtejshëm të Malit të Zi në rrugën drejt BE-së, është e nevojshme të përmbushen standardet e përkohshme në fushën e sundimit të ligjit, por gjithashtu theksoi se në këtë moment asnjë kapitull tjetër nuk është gati të mbyllet. Shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Vladimir Bilçik, tha se në pranverën e ardhshme do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, si dhe se ekziston mundësia e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat delegacioni i PE është i gatshëm t’i mbikëqyrë. Ai theksoi se procesi i negociatave është ngadalësuar dhe se Mali i Zi është në krizë politike dhe institucionale.

SHARE