Perspektiva euro-atlantike e Ballkanit Perëndimor është çelësi për stabilitetin e tërë Evropës Juglindore, prandaj Mali i Zi , promovon në mënyrë aktive politikën e “dyerve të hapur” të NATO-s, deklaroi ministri i Mbrojtjes së MZ, Predrag Boshkoviq gjatë takimit me zyrtarët e Kosovës, në Prishtinë.
Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, është pritur me ceremoni ushtarake nga Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ndërsa është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, ka thënë se Mali I Zi, do të mundohen të përmirësojnë raportet mes shteteve fqinje dhe të udhëzojnë Kosovën për mënyrën e integrimit në Evropë dhe NATO.
“Të përmirësoj iniciativën tonë në integrimin në Evropë dhe NATO. Siç kemi pasur bashkëpunime me Bosnjen dhe vende tjera edhe me Kosovën, të jetë i mirëfilltë bashkëpunimi ynë në mënyrë që të ecim drejt BE, Mali i Zi është avokat i mirë i gjithë regjionit, se si duhet ky vend i Ballkanit të punojë për futjen në NATO, që të punojmë në reforma, ndryshimin e reformave”, tha Boshkoviq.
“Si vend i vogël në Ballkan kemi bërë shumë që të integrohemi në BE dhe NATO dhe t’i mbështesim sa më shumë vendet e tjera që t’i ulim tensionet në regjion dhe të kemi status më të mirë të qytetarëve në vend. Vizita jonë sot është të tregojmë se kemi partner të veçantë Kosovën që t’ia bartim të gjitha përvojat që të drejtohen drejt integrimit në BE dhe NATO. Është një mesazh, që përveç kësaj do kemi takim me Kryeministrin dhe Presidentin. Do të kontribuojmë me kapacitete njerëzore që janë dakord me standardet e vendit. Objektiv është të promovojmë marrëdhënie sa më të mira me fqinjët” tha ai.
I pyetur për ndryshimet e ligjit për FSK-në, Boshkoviq tha se nuk përzihen në çështje të brendshme të Kosovës.
“Ne nuk përzihemi në çështjet e brendshme të Kosovës dhe mbesim me gjasë që njerëzit në Prishtinë të zgjidhin këtë çështje dhe të kontribuojnë me stabilitet dhe Mali i Zi i ka hapur derë vendeve tjera që të hyjnë në BE. Mali i Zi nuk përzihet në këto çështje” , ka thënë Boshkoviq. Ai ka folur edhe për raportin me Serbinë pas përfshirjes së pjesëtarëve të NATO-s së Malit të Zi në Kosovë.
“E kam diskutua disa tema. Mendoj që kjo është me motive të tjera dhe KFOR-i ka qenë këtu prezent para se Mali i Zi të jetë prezent. KFOR-i është garantues i paqes në Kosovë dhe do jemi vetëm një vend tjetër i NATO-s që kemi dërgu pjesëtar këtu. Mali i Zi ka interesat e veta nacionale dhe sa i përket KFOR-it të NATO-s do vazhdojë të jetë këtu. Mali i Zi është drejtuar nga e ardhmja dhe kjo është integrimi në BE”, deklaroi Boshkoviq. Ndërsa Ministri I mbrojtjes së Kosovës Rrustem Berisha ka thënë se e ka njoftuar homologun e tij nga Mali i Zi, për të arriturat e FSK-së, progresin sa i përket tranzicionit të kësaj force.
Ndërkaq, ka thënë se është njoftuar edhe për Kartën e Adriatikut A5, për të cilën ka thënë se mund të punohet edhe për A6 apo A7.
“E njoftuam për të arriturat e FSK-së, progresin në situatën sidomos me procesin e tranzicionit të FSK, dhe fillimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe e siguruam për mënyrën e avancimit të bashkëpunimit të ardhshëm. Mali i Zi gjithmonë ka qenë dhe është partner tepër i rëndësishëm për Ministrinë e FSK-së dhe jemi të sigurt që edhe në të ardhmen do të jetë një partner tepër i rëndësishëm për ne”, është shprehur Berisha.