PUNËTORËT E NEW YORK TIMES-it NË GREVË PAS MOSPAJTIMEVE PËR PAGA

Më shumë se 1.000 punëtorë të së përditshmes amerikane, New York Times, kanë hyrë të enjten në grevë – për herë të parë në më shumë se 40 vjet. Gazetarët dhe punëtorë tjerë të kompanisë kanë nisur grevën 24-orëshe, pas dështimit të arritjes së marrëveshjes për një rund të ri të negociatave lidhur me kontratat e tyre, ka thënë sindikata e punëtorëve. Sindikata NewsGuild of New York, që përfaqëson punëtorët që janë në grevë, ka thënë se pikë kyçe për nisje të grevës ka qenë refuzimi i udhëheqësisë për të rritur pagat në linjë me rritjen e inflacionit. “Mbi 1.100 punëtorë të së përditshmes New York Times kanë stopuar zyrtarisht punën, e para e një shkalle të tillë në kompani në katër dekadat e fundit”, ka thënë sindikata në një postim të enjten në mëngjes. Phoebe Lett, producente e podkasteve në New York Times, ka thënë përmes një postimi në Twitter se “është e rëndë kur duhet të bashkohesh me gati 1.200 kolegë që sakrifikojnë gjithçka për të mirën e këtij vendi, e që duhet t’i kërkojnë New York Times-it të na tregojë se na vlerëson. Por, ja ku jemi”. Sindikata e punëtorëve ka thënë se pjesëtarët e saj “janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të fituar kushte më të mira të punës për të gjithë”. Inflacioni në gjithë botën ka nisur të rritet, fillimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Rritja ka vazhduar edhe pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

SHARE