Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës “duhet të jetë prioriteti më i lartë”. “Kthimi kah dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, shkroi Hovenier në Twitter. Komentet vijnë një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata. Hovenier tha se SHBA-ja i dënon këto akte dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve për përmbajtje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mund të vendosë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës, vetëm nëse për këtë çështje do të japin vlerësim organet e sigurisë dhe ato zgjedhore. Kështu tha Presidenca e Kosovës lidhur me pyetjen nëse ka kushte që të mbahen zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, pasi në ditë më parë pati shpërthime dhe të shtëna armësh në këtë pjesë të vendit.