NËNSHKRUHET MARRËVESHJA ROAMING GJATË SAMITIT BE-BALLKANI PERËNDIMOR

Në kuadër të Samitit Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, në Tiranë është nënshkruar “Marrëveshja Roaming”, e cila i hap rrugë nisjes së procesit për heqjen e tarifës roaming mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në lidhje me marrëveshjen një konferencë për mediat mbajtën zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, Komisioneri i BE-së për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu. Balluku theksoi se marrëveshja e sotme e integron rajonin tonë më shumë dhe më mirë në sistemin e të drejtave themelore të çdo evropiani, sipas saj “ato të qarkullimit të lirë të personave, të mallrave, të ideve dhe të ndërveprimeve ekonomike që janë padyshim shumë të rëndësishme”. “Nënshkrimi nga një sërë operatorësh të telefonisë celulare të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor të deklaratës së përbashkët për jetësimin e udhërrëfyesit të heqjes së tarifave roaming mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor përbën një nga arritjet madhore të viteve të fundit. Emërtesa e këtij dokumenti mund të duket teknike në të vërtetë, por impakti i tij është sa konkret dhe real për jetën e qytetarëve tanë kudo që ata banojnë dhe sigurisht me një impakt të jashtëzakonshëm përsa i përket përshpejtimit të të gjitha hapave integruese”, tha Balluku. Komisioneri Varhelyi theksoi se marrëveshja e sotme shënon një hap të rëndësishëm, sipas tij për ta bërë telefoninë mobile dhe shërbimet e saj të përballueshme dhe të arritshme për të gjithë qytetarët, “që është element themeltar i çdo tranzicioni digjital gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm”. “Mirëprita nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mes operatorëve të Ballkanit Perëndimor të cilët janë zotuar që të punojnë drejt uljes së tarifave të roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, tha Varhelyi. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, tha se marrëveshja do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2023. Në Tiranë po mbahet sot samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pari që zhvillohet në rajon. Temat kryesore të samitit janë trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, forcimi i sigurisë ndaj ndërhyrjeve të jashtme, si dhe ballafaqimi me sfidat e paraqitura nga emigrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

SHARE