ABAZOVIQ DHE ZELENSKI NËNSHKRUAJNË NJË DEKLARATË TË PËRBASHKËT

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, kanë nënshkruar sot një deklaratë të përbashkët për perspektivën euroatlantike të Ukrainës. “Përveç mbështetjes së qartë për Ukrainën dhe të ardhmen e saj evropiane gjatë vizitës së kryeministrit Abazoviq në Kiev, në prag të dhënies së statusit kandidat për anëtarësim në BE, nënshkrimi i sotëm është një tjetër konfirmim i mbështetjes së vendit tonë për Ukrainën në përpjekjet e saj për tu bërë pjesë e plotë e shoqërisë euroatlantike, atëherë kur do të plotësohen kushtet,” thuhet në komunikatën e Qeverisë. Ata thonë se është një përpjekje e qartë e Qeverisë së Malit të Zi që së bashku me aleatët e saj të mbështesin mbrojtjen e ukrainasve, si përmes dhurimit të 11 për qind të fondeve nga buxheti ushtarak, ashtu edhe përmes aspektit humanitar dhe pritjes së mijëra refugjatëve. Zelenski theksoi se të dy vendet kanë marrëdhënie miqësore mjaft të hapura, pa qëllime të të fshehura, për të cilat ai është mirënjohës. Ai falënderoi popullin e Malit të Zi për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe mikpritjen e tyre ndaj atyre që ikën nga Ukraina. “E kemi parë mbështetjen tuaj që nga dita e parë, patëm një takim të mrekullueshëm në Ukrainë, kryeministër, jam i bindur që edhe ju, si populli i Malit të Zi, do të qëndroni me ne deri në fitore, që do të jetë fitorja jonë e përbashkët. Faleminderit edhe një herë,” tha Zelensky. Abazoviq tha se Mali i Zi dhe Ukraina po luftojnë për vlerat që ndajnë, për solidaritet, liri dhe demokraci.

SHARE