IRANI SHPËRBËN POLICINË E DOKEVE DHE TË ZAKONEVE

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Iranit, trupa e njohur si Policia e Moralit, që ishte kryesisht përgjegjëse për zbatimin e kodeve të veshjes për gratë, është shpërbërë. “Policia e Dokeve dhe e Zakoneve është shpërbërë, por gjyqësori do të vazhdojë të merret me këtë sfidë shoqërore,” tha Mohammed Jafar Montaseri. Detaje të mëtejshme për rrethanat dhe zbatimin e vendimit për shpërbërjen e kësaj policie nuk janë dhënë. Në Iran po zhvillohen prej javësh protesta, të shkaktuara nga vdekja e kurdes 22-vjeçare Jina Mahsa Amini. Ajo u arrestua nga skuadrat e Policisë së Dokeve dhe të Zakoneve në mes të shtatorit nën dyshimin se kishte shkelur kodin e rreptë të veshjes për gratë. Gjatë protestave janë arrestuar mijëra vetë. Po ashtu gjykatat kanë shpallur edhe të paktën gjashtë dënime me vdekje. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, Irani, i renditur pas Kinës, një nga vendet që ekzekuton më shumë të burgosur në botë. Nga Teherani njoftohet vazhdimisht për arrestime njerëzish të akuzuar për lidhje me agjencitë e huaja të shërbimeve sekrete, veçanërisht me shërbimin sekret të Izraelit, Mosad. Udhëheqësi shpirtëror Ayatollah Ali Khamenei akuzon gjithashtu armiqtë e përbetuar, SHBA-në dhe Izraelin, për nxitjen e lëvizjes protestuese në Iran.

SHARE