DËSHTON REZOLUTA QË KËRKON DIALOG ME SERBËT PËR RIKTHIM NË INSTITUCIONE

Në Kuvendin e Kosovës të mërkurën, më 30 nëntor, nuk ka kaluar një rezolutë e propozuar nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që kërkonte veprime të Qeverisë në lidhje me rikthimin e serbëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës. Qindra serbë të Kosovës nga katër komunat veriore të vendit, që nga fillimi i nëntorit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Kuvendin e Kosovës. Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin e targave të veturave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS. Për këtë, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, e propozoi një rezolutë për votim në Kuvend që ndër tjerash kërkonte që “institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë”. Një pikë tjetër e kësaj rezolute, e cila mori 21 vota për e 42 kundër, kërkonte edhe mbajtjen e një samiti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të së mërkurës ku ishte thirrur në interpelancë ka komentuar dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës duke thënë se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.

SHARE