NË SHQIPËRI SHËNOHET DITA E ÇLIRIMIT

Shqipëria shënon sot 78-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndërkohë në të gjithë vendin janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme nga institucionet. Ceremonia qendrore zyrtare për Ditën e Çlirimit të Shqipërisë është organizuar në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të organizatave të veteranëve. Presidentit i Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetë, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nëna Shqipëri”, në nderim të dëshmorëve të vendit.Me rastin e Ditës së Çlirimit, zyrtarë dhe politikanë kanë përcjellë mesazhet e tyre. “Gëzuar Ditën e Çlirimit”, ka shkruar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale. Kryeparlamentarja Nikolla, në mesazhin e saj të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, thekson se sot nderojnë çlirimtarët e Shqipërisë. “Prej 78 vjetësh festojmë Ditën e Çlirimit, me krenarinë e ligjshme që ushqen rreshtimi me Koalicionin e Madh Antifashist dhe fakti se Shqipërinë e çliruan partizanët, luftëtarët dhe populli shqiptar”, thuhet në mesazhin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, 29 Nëntori në Shqipëri shënohet si festë zyrtare dhe me rastin e përvjetorit të çlirimit institucionet në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit organizojnë aktivitete dhe ceremoni përkujtimore, në nderim të dëshmorëve. Kujtojmë se 78 vjet më parë, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë pas një lufte pesëvjeçare.

SHARE