Për të shënuar “Ditën e Forcës”, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka organizuar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë “Ditën e Hapur” për qytetarët.
Në shënimin e kësaj dite kanë marrë pjesë udhëheqës të lartë shtetërorë, përfaqësues ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në Kosovë dhe qytetarë.
Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në këtë ditë festive, para qytetarëve të pranishëm janë ekspozuar dhe demonstruar aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës i ka bërë bashkë qytetarët për të parë sukseset e deritanishme të ushtrisë.
Osmani tha se për së afërmi qytetarët në këtë ditë shohin përkushtimin, angazhimin e mbi të gjitha gatishmërinë për të sakrifikuar për atdheun.
“FSK po vazhdon me një sukses të madh periudhën e tranzicionit dhe natyrisht po punon duke pasur parasysh që orientim strategjik si shtet por edhe si popull i cili është anëtarësimi në NATO, aty ku edhe e kemi vendin”, theksoi Osmani.
Blendi Zogaj nxënës i shkollës “International Maarif Schools of Kosova” i cili mori pjesë në këtë ceremoni, tha për AA-në se e ka ëndërr që një ditë të jetë pjesë e Ushtrisë së Kosovës.
Madje, Zogaj ka bërë edhe një punim artistik me ngjyrat e flamurit kombëtar për 28 Nëntorin të dedikuar për FSK-në.
“Unë besoj shumë në Forcën e Sigurisë së Kosovës sepse ushtarët e kanë dhënë jetën për Kosovë dhe janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë dhe për këtë unë kam dashur që ta bëjë një projekt për ta”, theksoi Zogaj.
Kemajl Bega nga Vushtrria i cili e ka djalin ushtar në FSK mori pjesë po ashtu në këtë ceremoni, derisa për AA tha se ka besim të plotë për FSK-në, për të cilën thotë se është institucioni më i pakorruptuar në vend.
“Jemi të lumtur që e kemi bërë ushtrinë tonë, 28 nëntori është shumë me rëndësi për ne, është Dita e Forcës, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe me këtë datë lidhen shumë gjëra”, theksoi Bega.
Me rastin e manifestimit të Ditës së Forcës, shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari të cilat përkojnë me datën 28 nëntor, zv/ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari të shoqëruar nga gjeneralë, oficerë të FSK-së, gjatë ditës bënë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz, në nderim të sakrificës së familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.