Filmi shqiptar “Cold November” nis transmetimin në Netflix

Kosova po vazhdon të shënojë suksese ndërkombëtare sa i përket kinematografisë.

Shumë filma e aktor tashmë janë bërë pjesë e festivaleve më të mëdha të filmit në botë.

Një tjetër arritje së fundmi e ka bërë edhe filmi “Cold November”, i cili tashmë mund të shikohet edhe në një prej platformave më të njohura të transmetimit të filmave, serialeve dhe shfaqjeve, Netflix.

Lajmin e ka bërë të ditur aktorja e njohur, Adriana Matoshi, e cila edhe është një nga protagonistet në film.

“Miqtë e mi, një lajm shumë të mirë dua ta ndaj me ju. Një nga filmat që kam luajtur njërin prej roleve kryesore tani keni mundësinë me e pa në Netflix. Urime Ismet Sijarina, Fatmir Spahiu, Kushtrim Hoxha. Cold November”, ka shkruar Matoshi në njoftim.

Në vitin 2018, filmi ka pasur premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastian, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cyrih të Zvicrës, është shpërblyer me çmimin e publikut. /Telegrafi/

SHARE