QEVERIA MUND TË MARRË MASA PËR TË SHPALLUR REZULTATET E ZGJEDHJEVE NË PODGORICË

Kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se vendimi i Gjykatës Administrative për anulimin e zgjedhjes së dytë të Ivan Vukoviqit në pozitën e kryetarit të Podgoricës, i jep mundësi qeverisë që të marrë masa të caktuara për shpalljen përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve lokale në kryeqytet. Abazoviq tha se paraprakisht kishte paralajmëruar se PDS-ja nuk do t’i shpallë rezultatet, se do të përpiqet të organizojë zgjedhje parlamentare pa Gjykatën Kushtetuese. “Nga këto qëndrime, ata duhet të përpiqen ta fusin komunitetin ndërkombëtar në një lloj ndërmjetësimi, në mënyrë që t’u jepet një rrugë shpëtimi. Është koncept i tyre, unë personalisht mendoj se pala tjetër nuk duhet ta pranojë, nuk e kanë merituar me sjelljen e tyre”, ka thënë Abazoviq. Ai tha se Podgorica ka një ndryshim në krahasim me të gjitha qytetet e tjera. “Gjykata administrative ka marrë një vendim që kryetari është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe në këtë kontekst i jep njëfarë mundësie Qeverisë për të ndërmarrë veprime. Nuk do të doja që kjo të ndodhte, arsyeja është shumë e thjeshtë sepse ne kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të cilat janë të qarta dhe që besoj se janë pranuar nga kryetari aktual i Podgoricës. Asnjë ankesë spektakolare, madje edhe nëse pranohet, nuk mund të ndryshojë rezultatet përfundimtare sepse dallimet janë të mëdha”, tha Abazoviq. Ai bëri apel për tërheqjen e ankesave dhe shtoi se qeveria ka një plan B. Nëse PDS-ja nuk voton zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese më 28 nëntor, siç thotë ai, do të jetë e qartë se nuk e duan rrugën evropiane të Malit të Zi.

SHARE