KOSOVË-SERBI, MARRËVESHJE PËR TARGAT

Kosova dhe Serbia kanë arritur deri te dakordimi për targat pas diskutimi disa orësh në Bruksel të mërkurën mbrëma. Palët u pajtuan se Serbia nuk do lëshojë më në përdorim targa me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe kjo e fundit do të pezullojë gjobitjen. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se ky dakordim i hapë rrugë negociatave për normalizim të marrëdhënieve. “Ne u morëm vesh që nuk do t’i bëjmë veprimet reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit evropian që më herët quhej plani franko-gjerman”, tha Kurti. Teksa Kurti thotë që dakordimi i së mërkurës nxjerrë jashtë përdorimit targat ilegale KM, ishte kryenegociatori serb Petar Petkoviç dhe Lista Serbe që njoftuan se qytetarët që kanë në posedim këto targa, do të mund të vazhdojnë regjistrimin e tyre. Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”. Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.

SHARE