Parlamenti Evropian ka miratuar një ditë më parë strategjinë e re për zgjerimin e BE-së dhe ndër të tjera, ka shprehur kundërshtinë e tij për nismën Ballkani i Hapur. Sipas Parlamentit Evropian, kjo nismë nuk bazohet në rregullat e Bashkimit evropian ndërkohë që legjislativi i bllokut shpreh rezerva për nismat që nuk përfshijnë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në përfundimet e tij, Parlamenti Evropian kërkon intensifikimin e përpjekjeve për marrëdhënie më të mira fqinjësore, bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe efektiv socio-ekonomik në nivel rajonal dhe solidaritet për vendet që kërkojnë anëtarësim në BE. Bashkëpunimi ndërkufitar rajonal mes shteteve anëtare të bllokut dhe vendeve partnere përgjatë kufijve të jashtëm, është po ashtu i rëndësishëm për Parlamentin Evropian. Ky i fundit kërkon edhe rritje të konkurencës ekonomike dhe kohezion social në Ballkanin Perëndimor, përmes reformave strukturore dhe bashkëpunim ekonomik, rajonal, të pranueshëm për të gjashtë vendet duke u afruar më shumë me standartet dhe ligjet e BE-së e duke kontribuar në procesin e integrimit. Në këtë kontekst, Parlamenti Evropian mirëpret marrëveshjet e fundit në samitin e procesit të berlinit, e në vecanti përfundimin e marrëveshjeve rajonale për lëvizjen e lirë, udhëtimin me karta identiteti dhe njohjen e diplomave akademike dhe certifikatave profesionale. PE shpreh ndërkohë rezerva për cdo iniciativë rajonale të bashkëpunimit ekonomik që nuk përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk bazohet në rregullat e BE-së, siç është nisma Ballkani i Hapur.