MALI I ZI ËSHTË NDËR VENDET QË KËRKON PROMOVIM MË TË MADH TË TOLERANCËS

Mali i Zi iu bashkua rradhës së rreth 150 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB) që kërkojnë promovim më të madh të tolerancës, vlerave universale, luftës për paqen, si dhe respektimin e dallimeve kulturore dhe fetare, tha kryeministri Dritan Abazoviq. Abazoviq këtë e tha në Forumin Global të Aleancës së Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), që po mbahet në Fez. “Kur e shikon me sytë e vendeve të tjera, ne jemi një vend që i menaxhon shumë mirë marrëdhëniet e brendshme kur bëhet fjalë për liritë fetare, kombëtare dhe etnike”, tha Abazoviq. Ai theksoi se Mali i Zi është i pakrahasueshëm me shumë shtete të tjera nënshkruese. Abazoviq tha se ishte i nderuar që e nënshkruan atë dokument, pas përgatitjeve të gjata që zgjatën në OKB. “Interesi ynë dypalësh është të zhvillojmë Malin e Zi si një destinacion prestigjioz dhe elitar ku të gjithë mund të gjejnë paqen dhe sigurinë dhe të shijojnë bukurinë tonë natyrore”, përfundoi Abazoviq.

SHARE