KURTI DHE VUÇIQ FTOHEN NË BRUKSEL

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, palët janë ftuar për të diskutuar të dielën pasdite, ose më së voni të hënën në mëngjes. Stano ka thënë se takimi duhet të ndodhë “shumë, shumë shpejt” dhe se qëllimi i takimit është “për të gjetur një zgjidhje evropiane”. “Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen. Shpresoj që do të mund të vijnë shumë shpejt, dhe do të diskutojnë, siç ka thënë edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borell, para 21 nëntorit dhe jo më vonë”. As Qeveria e Kosovës, as Presidenca e Serbisë, nuk kanë konfirmuar nëse do të jenë pjesë e takimit.

SHARE