Përshesh me Pulë dhe Bukë Misri – Shije Fantastike nga Tradita

Përsheshi me pulë është ndër gatimet më speciale të kuzhinës tradicionale shqiptare.

I përgatitur me kulaç shtëpie apo bukë misri ai shijon në mënyrë fantastike dhe mbetet përherë ndër pjatat më të veçanta që mbush tryezat e shqiptarëve në raste festash e gëzimesh familjare.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e veçantë të përgatitjes së përsheshit me bukë misri, një gatim special i cili pa dyshim do mbledhë gjithë familjen rreth tryezës për ta shijuar.

Përgatitja e Përsheshit me Pulë dhe Bukë Misri

Përbërësit

1 pulë mesatare, e freskët

4-5 qepë të njoma

60-80 gr gjalpë të freskët ose 4-5 lugë gjelle vaj ulliri (për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org këshillon përdorimin e vajit të ullirit)

Një tufë nenexhik i grirë hollë

Kripë

Piper

1 bukë misri

1 kokërr limon

Përgatitja e Bukës së Misrit

Përbërësit

1 kg miell misri
700 ml ujë i ngrohtë
3 lugë vaj ulliri
1 lugë gjellë kripë

Në një enë të pastër hedhim 1 kg miell misri bashkë me pak vaj ulliri.

Më pas shtojmë pak ujë të ngrohtë, por më parë sigurohemi që të mos jetë i përvëluar.

Sipas traditës së gjysheve tona, ngrohtësia e ujit duhet të jetë e përballueshme aq sa ta durojmë nëse e provojmë me gishtin e vogël të dorës.

Hedhim ujin në enën ku kemi miellin e misrit dhe vajin e ullirit.

Më pas hedhim dhe një lugë gjelle kripë dhe i përzjejmë me një lugë druri.

Më pas shtojmë pjesën tjetër të ujit të ngrohtë dhe vijojmë të përziejmë derisa të kemi një masë të njëtrajtshme.

Në vijim, masën e përftuar e shtrojmë në tavë apo në një tepsi të vogël, të cilën më parë e kemi lyer me vaj ulliri.

Pasi hedhim masën në tavë dhe e hapin në mënyrë të njëtrajtshme, lyejmë me një furçë me pak vaj ulliri edhe pjesën e sipërme.

Tavën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë celcius për 40 minuta.

Kur piqet, buka e misrit merr një ngjyrë të artë, të praruar me disa nuanca portokalli të errët.

Përgatitja e Përsheshit 

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të nisni me përgatitjen e pulës.

Pastrojeni me ujë të rrjedhshëm dhe përcëllojeni në zjarr të ngadaltë.

Lyejeni me kripë, piper, gjalpë e lëng limoni nga të gjitha anët.

Vendoseni në një tavë, hidhini 3-4 gota ujë dhe futeni në furrë të piqet.

Gjatë pjekjes spërkateni herë pas here me lëngun e vet.

Kur të piqet largojeni nga furra dhe lëngun ruajeni mënjanë për të përgatitur përsheshin.

Vendosim një tenxhere në zjarr.

Kaurdisim qepën e grirë hollë me gjalpë ose vaj ulliri, shtojmë nenexhikun, lëngun e pulës dhe e lëmë të zjejë sa të marrë një valë.

Thërrmojmë bukën e misrit, e hedhim në lëng që të marrë disa herë valë.

Nëse dëshironi shtoni dhe pak gjalpë të shkrirë.

Kaurdiseni derisa përsheshi të përthithë lëngun.

Vendoseni për pak minuta në furrë të parangrohur, përziejeni dhe më pas hiqeni nga furra.

Përsheshin vendoseni në një pjatancë dhe vendosni sipër pulën e pjekur./AgroWeb.org

SHARE