BETOHEN 10 DEPUTETËT SERBË NË KUVEND

Dhjetë deputetë, nëntë prej tyre nga Lista Serbe, bënë betimin mëngjesin e të enjtes në Kuvendin e Kosovës. Këta deputetë po zëvendësojnë mandatet e dhjetë deputetëve të mëhershëm, të gjithë nga Lista Serbe, që dhanë dorëheqje ditë më parë. Menjëherë pas betimit, këta deputetë u larguan nga salla e Kuvendit. Dorëheqjet e deputetëve, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, nisën në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120. Nuk ishte fillimisht e qartë ndërkohë se cfarë do të bënin deputetët e rinj të Listës Serbe me mandatet e tyre. Vetë Lista serbe, tha se deputetët e rinj bënë betimin në kuvend për të verifikuar teknikisht mandatet e tyre dhe për ti mbajtur ato të sigurta. “Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe. Në reagimin e Listës Serbe thuhet se me marrjen e mandateve është parandaluar “plani i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe serbëve që i shkojnë pas atij për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore”. Sipas Listës Serbe, plani synon “marrjen e pasurisë nga Kisha Ortodokse, shuarjen e komunave serbe, gjuhës serbe dhe të drejtën e serbëve për përfaqësim në institucione”.

SHARE