PRESIDENTI BEGAJ PRET HOMOLOGUN NGA AZERBAJXHANI, ILHAM ALIYEV

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në Tiranë, në një vizitë shtetërore Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. “Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit. Biseduam për nevojën e mbajtjes së Komisionit të Përbashkët Ekonomik në vitin 2023, si instrumenti më i mirë politiko-teknik për të vendosur piketat konkrete të bashkëpunimit dhe programuar vazhdimësinë për vitet e ardhshme,” theksoi Begaj. Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë, tha Begaj duke vecuar sektorë jetikë, si energjia dhe infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria. “Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, – përmes TAP-it, – lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian. Aliyev u shpreh se Azerbajxhani është gati të ndihmojë për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri. “Në të njëjtën kohë lidhur me infrastrukturën e gazit, vendi ynë kërkon ta ndihmojë për zhvillimin e saj në Shqipëri. Kemi folur për këto alternativa. Ka shumë ide. Deri më tani nuk ka pasur një infrastrukturë të mirëzhvilluar në Shqipëri. Azerbajxhani mund të marrë pjesë si investues në këtë fushë. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Sot Kjo çështje dhe çështje të tjera që lidhen me energjinë do të diskutohen sërish e sërish”, u shpreh Presidenti i Azerbajxhanit.

SHARE