POPULLSIA E BOTËS ARRIN NË 8 MILIARDË, OKB: RRITJA ËSHTË DUKE U NGADALËSUAR

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se popullsia e botës ka arritur në 8 miliardë, vetëm 11 vite pasi ka kaluar 7-miliardëshin. Pas një rritjeje të shpejtë në mes të shekullit 20, rritja e popullsisë është duke u ngadalësuar, tha OKB-ja. Sipas saj, tani mund të duhen 15 vjet për të arritur në 9 miliardë. OKB-ja shtoi gjithashtu se nuk pret që shifra prej 10 miliardë banorësh të arrihet deri në vitin 2080. Numri i njerëzve në botë është vështirë të llogaritet me precizitet dhe OKB-ja pranon se të dhënat e saj mund të mos jenë të sakta për një ose dy vjet. Rritja më e madhe e popullsisë në 11 vjetët e fundit është shënuar në vendet me të ardhura mesatare, kryesisht në Azi. Ato janë shtuar për rreth 700 milionë njerëz që nga viti 2011. India ka shtuar rreth 180 milionë njerëz dhe pritet ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë, vitin e ardhshëm. Lindjet kanë qenë në rënie të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Japoni. Arsyet për këtë janë të ndryshme – nga ndryshimi i mënyrës së jetesës deri te shqetësimet ekonomike.

SHARE