Votimi nesër do të përsëritet në dy vendvotime në Shavnik dhe të drejtë vote kanë 541 votues. Zgjedhjet lokale do të përsëriten në vendvotimin në ndërtesën e Komunës së Shavnikut, ku të drejtë vote kanë 483 votues dhe në fshatin Krushevicë, ku të drejtë vote kanë 58 votues. Në këto qendra votimi u pezullua votimi në tre ciklet e mëparshme zgjedhore, më 23 tetor, më 30 tetor dhe 6 nëntor, pasi disa anëtarë të këshillave të votimit nuk i lejuan votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të sigurojnë që qytetarët të cilët kanë të drejtën e votës në Shavnik, nesër ta ushtrojnë këtë të drejtë kushtetuese. Ai tha se tentativa e katërt zgjedhore do të tregojë nëse institucionet “pas dy vitesh shpërbërje sistematike” nuk janë plotësisht në gjendje të kryejnë detyrën e tyre themelore, pra mbrojtjen e interesave të shtetit dhe qytetarëve të tij.