“JO MË VONË SE NË DHJETOR 2023”, PRESIDENCA ÇEKE PROPOZIM TË RI PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE ME KOSOVËN

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka hartuar një vendim të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të liberalizimit të vizave do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023. Vendimi i ri, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, është formalizuar pas takimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së, takim që u mbajt të enjten. Ky propozim është një kompromis mes kërkesës së Francës që hyrja në fuqi të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), edhe pse shumica e shteteve anëtare kanë kërkuar që këto dy tema të mos lidhen, ose së paku të ketë një datë të prerë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. “Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil [ICAO] dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të ETIAS, por në çdo rast jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”, thuhet në draftin e fundit të tekstit të propozimit nga Presidenca çeke dhe Këshilli i BE-së sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas diplomatëve të BE-së kjo do të thotë se liberalizimi mund të nisë më 1 nëntor 2023, në rast se në atë datë nis edhe funksionimi i ETIAS-it. Por, nëse ky sistem nuk do të jetë i gatshëm apo nuk do të nisë që të zbatohet, atëherë liberalizimi i vizave gjithsesi do të nisë më së voni më 1 dhjetor të vitit 2023. Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë gjë si të rëndësishme për Kosovën pasi në këtë mënyrë, sipas tyre, shmanget mundësia që Kosova të presë për liberalizim në rast të moshyrjes në fuqi të ETIAS-it. Funksionalizimi i këtij sistemi është shtyrë disa herë edhe pse ai teknikisht ka qenë gati. Afati i ri i nisjes së zbatimit të ETIAS-it është 1 nëntori i vitit 2023, por nuk ka garanci se kjo në të vërtetë do të ndodhë.

SHARE