VENDIMI PËR VIZAT SË SHPEJTI; HYRJA NË FUQI NË NËNTOR 2023 

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS). Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data. Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023. Presidenca çeke përmes një njoftimi tha të enjten se shtetet anëtare diskutuan propozimin kompromis të Presidencës për kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit ETIAS.  “Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit asnjë konsensus; vendet anëtare, megjithatë, bënë përparim të rëndësishëm në negociata. Presidenca do t’u rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet ta përfundojë sa më shpejt punën për këtë çështje të rëndësishme”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Presidencës çeke.

SHARE