TË PREMTEN NË PARIS BORRELLI TAKOHET NDARAS ME KURTIN DHE VUÇIQIN

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nëpërmjet një postimi në Twitter. Takimet do të zhvillohen më 11 nëntor në Paris, ku liderët po marrin pjesë në Forumin e Paqes. Sipas Stanos, qëllimi i takimit është të ndihmojë në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit. Me Kurtin dhe Vuçiqin pritet të takohet më 10 nëntor edhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Të mërkurën, kryeministri Kurti paralajmëroi mundësinë e një takimi trepalësh me Vuçiqin. Takimi eventual ndërmjet tyre pason krizën në veri, pasi pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës.

SHARE