RUSIA NJOFTON PËR TËRHEQJEN E USHTRISË NGA HERSONI

Rusia ka njoftuar se ka filluar tërheqjen e trupave ruse nga Hersoni, qytet strategjik ukrainas, mes shenjave të shumta se ka filluar kjo tërheqje që do ta shënonte një pikë kthimi për luftën në Ukrainë. Zyrtarë ukrainas thanë se forcat e Moskës nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të iknin nga Hersoni, por ata qëndruan të kujdesshëm, nga frika e një prite nga trupat ruse. Ishte e vështirë të dihej se çfarë po ndodhte në qytetin industrial, nga i cili dhjetëra mijëra njerëz janë larguar gjatë javëve të fundit dhe ku banorët e mbetur frikësohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Një tërheqje e detyruar nga Hersoni – i vetmi kryeqytet provincial që Moska ka kapur – do të shënonte një nga humbjet më të mëdha të Rusisë deri më tani, ngjashëm me tërheqjen e tyre nga kryeqyteti gjatë ditëve të para të luftës. Rimarrja e Hersonit ia mundëson Ukrainës të rifitojë territorin e humbur në jug, duke përfshirë Krimenë, të cilën Moska e aneksoi ilegalisht në vitin 2014. Një tërheqje ruse gjithashtu besohet se do ta rriste presionin e brendshëm mbi Kremlinin për ta përshkallëzuar konfliktin. Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi të enjten për një “manovër të njësive të grupit rus” në anën e kundërt të lumit Dnjepër nga ku shtrihet qyteti Herson – një ditë pasi ministri urdhëroi një tërheqje të trupave gjatë një konference.

SHARE