HAXHIU: GJYQTARËT DHE PROKURORËT E DORËHEQUR NUK MUND TË KTHEHEN MË NË SISTEMIN E DREJTËSISË

Dorëheqjet e prokurorëve, gjyqtarëve serbë dhe stafit mbështetës në veri të Kosovës, duhet të pranohen dhe të njëjtit nuk duhet të kthehen më në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Kështu tha ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu. Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 9 nëntor, Haxhiu tha se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial ende nuk kanë trajtuar dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, sepse ende nuk i kanë të gjitha dorëheqjet. “Medimi ynë është që personat që dorëhiqen nuk mund të kthehen sërish në sistem, për faktin se është goditje për sistemin e drejtësisë, për Republikën e Kosovës, që një gjyqtar dhe një prokuror, të dorëhiqet për shkak të dirigjimeve që i bëhen nga [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi”, tha Haxhiu. “Thjeshtë, nuk mund të them se kjo është diçka e paprecedent, sepse ka pasur bojkot edhe kur është vendosur vendimi për tarifat, por po ashtu sa i përket vendimit të ndalimit të mbajtjes së zgjedhjeve apo referendumit në Kosovë. Për fat të keq po i vuajmë pasojat e vendimeve të qeverive të kaluara. Nëse sot një gjyqtar shqiptar dorëhiqet, natyrisht se ai nuk mund të kthehet më në sistem. Por, dorëheqjet duhet të pranohen dhe po ashtu të hapen konkurset për punësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj”, shtoi ajo.

SHARE