VUÇIQ NDERON POLICËT QË REFUZUAN URDHRAT E QEVERISË SË KOSOVËS

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nderoi të mërkurën me medalje ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, dhe shefin e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviq. Gjuriq dhe Filipoviq u nderuan me medaljen e artë për trimëri “Millosh Obiliq”, pasi refuzuan të zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Duke ua dorëzuar medaljet në Presidencën e Serbisë, Vuçiq falënderoi Gjuriqin dhe Filipoviqin që, siç tha, “dëgjuan shtetin e tyre”. “Keni bërë atë që jua donte zemra dhe keni vepruar me nder kur ju kanë penguar të kryeni detyrën, sepse as atëherë nuk keni dashur t’i shkelni ligjet”, tha Vuçiq. Ai bëri të ditur se në dy ditët e ardhshme do të vizitojë Parisin, ku tha se do të takojë presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe zyrtarë të tjerë evropianë, me të cilët do të bisedojë për, siç tha, situatën në Kosovë. Vuçiq tha se autoritetet në Kosovë, duke zbatuar vendimin për riregjistrimin e makinave, kanë dashur të shkaktojnë incidente dhe të “poshtërojnë popullin serb”. Ai nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.

SHARE