STOLTENBERG: NATO E SHQETËSUAR PËR SITUATËN NË KOSOVË – “FORCAT TONA TË MBETEN VIGJILENTË

Tensionet në veri të Kosovës kanë tërhequr vëmendjen e sekretarit të përgjithsmë të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka diskutuar për situatën si me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ashtu dhe me presidentin serb, Aleksandar Vucic. “U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar shefi i aleancës në Twitter. Stoltenberg shtoi se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë për situatën atje. Zyra e kryeministrit të Kosovës njoftoi se ai i kishte përcjellë kreut të NATO-s shqetësimin se “bojkoti i ditëve të fundit në fakt është i nxitur dhe i orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve”. Ai e ka siguruar numrin një të aleancës më të madhe ushtarake të globit se Qeveria dhe institucionet e Kosovës “si gjithmonë do bashkëpunojnë, komunikojnë dhe bashkërenditen ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj”. Vucici nga ana e tij, sqaroi me një postim në Instagram tha se në bisedën telefonike me Stoltenbergun i ka përcjellë atij bindjen se “Prishtina në mënyrë brutale po shkel Marrëveshjen e Brukselit përmes veprimeve të njëanshme”. Sipas tij, Kosova e bëri këtë duke pezulluar nga puna drejtuesin e policisë për rajonin e veriut, duke zbatuar vendimin “e paligjshëm” për targat e makinave dhe duke refuzuar që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pasi tha të gjitha këto, në fund shtoi se pavarësisht të gjithave Serbia dëshiron ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe është e përkushtuar për këtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, dhe insistojnë të shmanget përshkallëzimi i tensioneve.

SHARE