15 MIJË VDEKJE NGA I NXEHTI, OBSH: EUROPA PO NGROHET MË SHPEJT SE PJESA TJETËR E BOTËS

Pasojë e ndryshimeve klimatike i konsiderojnë ekspertët shifrat e fundit tronditëse të ofruara nga OBSH, të cilat tregojnë se 15,000 vdekje të lidhura me të nxehtin u regjistruan këtë vit në Europë, e kjo shifër pritet të rritet ndjeshëm. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 4,500 persona humbën jetën në Gjermani, 5,000 në Spanjë dhe Portugali, dhe më shumë se 3,000 në Mbretërinë e Bashkuar gjatë verës. Raporti gjithashtu evidenton me shqetësim se kontinenti i vjetër po ngrohet më shpejt se zonat e tjera të planetit. Rritjen e ndjeshme të temperaturave, thatësira e mëdha dhe stuhitë e dhunshme, shtimin drastik të nivelit të reshjeve apo përmbytjet masive, OKB-ja i përshkruan si shenja të emergjencës klimatike”. Bota, tha një ditë më parë në samitin e klimës në Egjipt numri një i organizatës, Antonio Guterres, po ecën në autostradën e ferrit klimatik me këmbën tek gazi. “Jemi duke luftuar për jetët tona, dhe po e humbasim këtë betejë. Ky është ngërçi më i madh i kësaj epoke. Është sfida qendrore e këtij shekulli”- u shpreh Guterres. Samiti vjetor i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, ka nisur punimet këtë vit në Egjipt, me thirrjet që vendet të kalojnë “nga epoka e zotimeve në epokën e zbatimit”. OKB-ja u bëri thirrje vendeve për arritjen e një marrëveshje solidariteti për klimën, që do të përfshinte mbështetjen e mjaftueshme financiare për vendet e varfra në mënyrë që ato të jenë në gjendje të përballojnë efektet e ngrohjes globale. Janë përsëritur po kështu thirrjet për vendosjen e një takse ndaj fitimeve të mëdha të kompanive të prodhimit të naftës.

SHARE