FORCA: I PANDRYSHUESHËM KURSI EURO-ATLANTIK I MALIT TË ZI

Forca mbështet çdo formë të aktivitetit politik që nuk cenon themelet dhe kursin euroatlantik të Malit të Zi,  e ku dialogun e shohim si një rrugëdalje nga kriza institucionale dhe politike, e cila do të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme. “Mbështesim çdo lloj lufte institucionale dhe demokratike për të drejtat e qytetarëve dhe për një jetë më të mirë. Mali i Zi është në një krizë të madhe politike në të cilin humbësi i vetëm është qytetari. Në momentin kur të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë janë bërë objekt manipulimi politik, ne mbështesim çdo formë të shprehjes paqësore dhe dinjitoze të pikëpamjeve të ndryshme të garantuara me kushtetutë,” thuhet në deklaratë të Forcës së Re Demokratike. Ata shtojnë se zgjedhjet pa inkluzion dhe pa përfshirjen adekuate dhe autentike të përfaqësuesve të pakicave kombëtare nuk i konsiderojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Veçojmë se injorimin e kërkesës për përfaqësim autentik të këtyre popujve e konsiderojmë shprehi jo e denjë politike. Besojmë se administrata e formuar si rezultat i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të jetë në gjendje dhe me sukses ta nxjerrë vendin nga kthetrat e korrupsionit, amatorizmit, nepotizmit e injorancës si dhe të vazhdojë rrugën euro-atlantike të Malit të Zi. Mbështetja jonë është mbështetja për paqen institucionale në Mal të Zi dhe është një zë kundër tregtisë politiko-financiare që ka ngadalësuar vite më radhë anëtarësimin e Malit të Zi në BE. Atmosfera aktuale politike nuk është në favor të luftës kundër korrupsionit për të cilën disa parti kanë fituar vota, por në favor të destabilizimit të Malit të Zi dhe ndikimit të shteteve e politikanëve të cilëve paqësisht u thamë lamtumirë më 21 maj të vitit 2006,” thuhet në deklaratë. Nga Forca e Re Demokratike ftojnë në dialog të gjitha subjektet politike për të gjetur një zgjidhje për eliminimin e status quo-së në të cilën ndodhen institucionet e Malit të Zi, prandaj dialogu duhet të jetë mbi të gjitha interesat politike dhe personale.

SHARE