GJUROVIQ FTON NË TAKIM KRERËT E PARTIVE PARLAMENTARE

Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, ka ftuar kryetarët e partive parlamentare në takim të mërkurën, me qëllim tejkalimin e krizës politike dhe sociale në Mal të Zi. Ajo theksoi se më së shumti shqetësohet për çështjet e emërimeve në gjyqësor, çështjet e rrezikimit të sigurisë dhe mendon se në atë takim duhet të diskutohet edhe për Ligjin e Presidentit. “Duke qenë se vendi është në krizë politike, e konsiderova të nevojshme rihapjen e një dialogu politik në të cilin do të marrin pjesë të gjithë kryetarët e partive parlamentare”, tha ajo. Ajo është veçanërisht e shqetësuar, se në këtë moment sfidues, sjellja dhe veprimet e të gjitha subjekteve politike na kanë çuar në një situatë ku rrezikohet edhe siguria e Malit të Zi. “Këtë e konsideroj si një problem jashtëzakonisht të madh dhe e konsideroj si detyrë të të gjitha subjekteve politike që të gjejnë një mënyrë për të rënë dakord për çështje shumë të rëndësishme që rëndojnë shoqërinë tonë. Thjesht fakti që nuk kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, zgjedhjet lokale të mbajtura në 14 komuna janë ende në fazën e pritjes dhe ka probleme me shpalljen e rezultateve dhe funksionalitetin e vetëqeverisjes lokale”, tha ajo. Ajo theksoi se është një nga institucionet më të rëndësishme në vend dhe se në të janë në pritje mbi 3.700 ankesa kushtetuese. Gjuroviq thekson se për faktin se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, nuk ka një instancë adekuate institucionale që do të japë përgjigje për shqyrtimin e procedurave dhe zgjidhjeve ligjore. “Kjo është pikërisht arsyeja pse unë apelova përsëri që të ulemi dhe të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje dhe një kompromis në një moment sfidues. Më shqetëson më së shumti çështja e sigurisë së kërcënuar në Mal të Zi. Është momenti i fundit për t’u ulur së bashku dhe të gjejmë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë”, tha ajo. Gjuroviq tha se përmes mediave është informuar për propozimin e Kryesisë së PDS-së për të hequr dorë nga ndryshimet në Ligjin për Presidentin dhe për të kthyer në fillim procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe se çështja e Ligjit për Presidentin duhet të jetë temë e dialogut. “Sa i përket kthimit në fillim të procedurës së përzgjedhjes së gjyqtarëve, kjo është e pamundur”, theksoi ajo.

SHARE