Me ftesë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kabineti qeveritar ka mbajtur një takim që në rend të ditës kishte diskutimin për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Kryeministrit njofton se kryeministri Kurti në këtë takim ka thënë se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen, ndërkaq që dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë.
Kurti ka përsëritur thirrjen nga kabineti qeveritar që “mos të bojkotohen ose braktisen institucionet e Kosovës, të cilat i shërbejnë çdonjërit pa dallim”.
“Duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, gjatë diskutimit u konfirmua se institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave në kuadër përgjegjësive që kanë”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit, respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazi, shërbim ndaj qytetarëve, paqe dhe siguri, theksohet më tej.
Mbledhja e kabinetit qeveritar vjen pas dorëheqjes së udhëheqësve serbë nga institucionet kosovare, përfshirë Qeverinë, Kuvendin, pozitat e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, prokurorinë e administratën derisa të njëjtit kanë mbajtur edhe protestë të dielën në qendër të Mitrovicës së Veriut.
Gjatë ditës ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla vizitoi veriun e vendit derisa tha se gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës me përkushtim janë duke përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke siguruar ambient të qetë dhe shërbime për të gjithë qytetarët si në pikat kufitare ashtu edhe brenda gjithë territorit të Republikës së Kosovës.
Dorëheqja e Listës Serbe nga institucionet kosovare erdhi pas vendimit tre-fazësh të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave ilegale që ende qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në ato “RKS”, si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e këtij vendimi të Qeverisë.