BORRELL KONFIRMON SE KOSOVA DHE SERBIA KANË PRANUAR NJË PLAN TË RI PËR DIALOGUN

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë pranuar një plan të ri për dialogun për normalizimin e raporteve. Siç tha ai, të dyja palët tashmë dorëzuar komentet e tyre për këtë plan. “Me përfaqësuesin tim të posaçëm, Mirosllav Lajçak, kemi punuar shumë për këtë. Pra, para verës ua kemi prezantuar planin të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të kapërcejnë krizat e përhershme në të cilat kemi punuar dhe për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët. Jemi duke i studiuar dhe mendoj se është një shkas i mirë që duhet të shfrytëzohet për të arritur normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Borrell në Gjermani, ku po mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të G7-s. Shefi i diplomacisë së BE-së po ashtu tha se në ditët në vijim do të analizojnë komentet që kanë marrë nga Prishtina dhe Beogradi dhe se shpreson se ky “do të jetë një përparim dhe hap para në këtë proces”. Borrell po ashtu falënderoi Gjermaninë dhe Francën për mbështetjen në zhvillimin e këtij plani.

SHARE