QEVERIA E KOSOVËS E KONSIDERON TË PADREJTË KUSHTËZIMIN ME SISTEMIN ETIAS

Sot u zhvillua takimi i nëntë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë. Në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u diskutua për progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë. Nga Bashkimi Evropian u theksua përmbushja e kritereve për heqjen e regjimit të vizave, ndërsa nga Qeveria e Kosovës thanë se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS është i padrejtë, jo-fer dhe paarsyeshëm. Deputeti i Parlamentit Evropian dhe bashkëkryesuesi i komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, Romeo Franz, tha se Kosova meriton liberalizimin e vizave. Ai theksoi se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ketë njohjen reciproke. “Kosova ka përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se propozimi për liberalizim të vizave është ende në Këshill dhe duhet të trajtohet si çështje urgjente. Nevoja për liberalizim të vizave ka qenë një pozicion shumë i fuqishëm i Parlamentit Evropian i shprehur në rezolutat tona, por edhe takime tona në shumë situata. Kosova meriton liberalizimin e vizave, jemi të bindur se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave… Po ashtu, inkurajojmë vazhdimin e dialogut të fasilituar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit me një njohje të ndërsjellët, si një marrëveshje themelore dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai. Ndërsa, bashkëkryesuesja tjetër e komisionit, deputetja Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova ka shënuar progres përkundër sfidave që ka pasur. Nga ana tjetër, ligjvënësve iu drejtua edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se marrëveshjet me Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

SHARE