Komuna e Ulqinit dhe Bashkia Shkodër firmosën marrëveshjen “Për nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Programit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri”. Ajo është konkretizuar gjatë një takimi të mbajtur në zyrën e kryetarit të bashkisë Shkodër Bardh Spahia, i cili priti delegacionin e Komunës Ulqin udhëhequr nga kryetari Omer Bajraktari. Siç thuhet, mundësitë janë të shumta si në turizëm, art e kulturë, ashtu edhe në zbatimin e projekteve të përbashkëta me ndikim ekonomik. “Dy kryetarët folën për projektet që shumë shpejt do të finalizohen dhe që kanë ndikimin të drejtëpërdrejtë për Ulqinin dhe Shkodrën, si rruga Zogaj – Skje, ura e re që lidh Ulqinin me Velipojën etj. Kjo marrëveshje i hap rrugën të tjera bashkëpunimeve që drejtuesit vendor deklaruan se do të finalizohen në vazhdimësi, ku takimet e përbashkëta do të jenë më të shpeshta për t’i dhënë jetë projekteve në fjalë”, shtohet në kumtesë.