TRE MARRËVESHJE NË BERLIN PËR BALLKANIN PERËNDIMOR, NË FOKUS DHE DIALOGU KOSOVË-SERBI

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë tre marrëveshje në samitin në Berlin, i cili fillon më 3 nëntor. Marrëveshjet do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, sipas zyrtarëve të Qeverisë gjermane. Një zyrtar qeveritar në Berlin i tha Reuters-it se këto janë lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit, ku edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave ndëretnike të viteve ‘90, tensionet nuk kanë përfunduar. Siç shpjegoi ai, qëllimi është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon. Kjo ka të bëj sidomos me Serbinë, e cila u bombardua nga NATO-ja dy dekada më parë dhe e cila kërkon të baraspeshojë lidhjet historikisht të ngushta me Rusinë dhe aspiratat për integrim ekonomik dhe politik me Perëndimin. Në adresë të Kosovës dhe Serbisë priten të dëgjohen mesazhe të qarta. “Sot nuk ka më vend për konflikte të tilla, me potencial shpërthyes, siç është ai midis Kosovës dhe Serbisë”, tha zyrtari. Më 3 nëntor, kancelari gjerman Olaf Scholz duhet të presë në Berlin liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së, në kuadër të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, që është iniciuar nga paraardhësja e tij, Angela Merkel.

SHARE