VALË E RE E SULMEVE NË KIEV DHE QYTETET TJERA UKRAINASE

Kievi dhe disa rajone tjera ukrainase janë përballur sërish me sulme ruse, thanë të hënën zyrtarët ukrainas. Dëshmitarët në teren kanë raportuar për tym në disa ndërtesa, pas një serie sulmesh. Në qytetin jugor, Marhanets, raketat ruse kanë goditur ndërtesa të banimit dhe një shkollë të mesme, duke lënë të vdekur një grua 31-vjeçare, tha udhëheqësi i administratës rajonale, Valentyn Reznichenko. Oleksiy Kuleba, guvernator i rajonit të Kievit, tha se mbrojtja ajrore ukrainase është aktive në kryeqytet. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha në anën tjetër se disa zona të kryeqytetit kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e sulmeve. Në Harkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dy raketa kanë shënjestruar “objekte të infrastrukturës kritike”. Raportime për sulme ajrore ka pasur edhe në rajonet Poltava dhe Kirovohrad. Sirenat e alarmit për sulme ajrore u ndezën në të gjithë vendin. “Humbësit rusë vazhdojnë të sulmojnë objektet e civilëve”, tha Andriy Yermak, shef i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Javët e fundit, Rusia ka kryer një valë sulmesh ajrore, sulme me dronë por edhe bombardime me artileri, duke shënjestruar infrastrukturën civile. Për pasojë, janë vrarë disa persona dhe është shkatërruar më shumë se 40 për qind e infrastrukturës ukrainase të energjisë. Prandaj, shumë familje rrezikojnë të përballen me dimër të vështirë, pasi ndërprerjet e energjisë elektrike sapo kanë nisur. Ndërkohë, në lindje të Ukrainës, komanda ushtarake ukrainase ka raportuar për beteja të ashpra në rajonin e Donjeckut. Vala e re e sulmeve vjen pasi Rusia akuzoi Ukrainën për sulme mbi Flotën e saj në Detin e Zi, me 16 dronë, të shtunën. Rusia, po ashtu, ka bërë të ditur se do të pezullojë pjesëmarrjen në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, e cila i mundëson Ukrainës – një prej eksportueseve më të mëdha të grurit në botë – që të shesë grurin e saj, duke përmendur si arsyetim “sulmet ukrainase me dronë”. Ukraina, në anën tjetër, ka hedhur poshtë akuzat.

SHARE