Pjesë të Francës dhe Spanjës po shohin një fund tetori si jozakonisht të ngrohtë me plazhistët që po shijojnë temperatura uji prej 20-21 gradësh celcius në rivierën franceze, “Ky vit është i jashtëzakonshëm”, thotë Rose Marie Martini për agjencinë e lajmeve Reuters ndërsa bën banjo dielli në një plazh në Nisë. “Në fund të tetorit normalisht është ftohtë dhe bie shi, por jo këtë vit”, shton ajo. Në këtë mënyrë edhe miliona njerëz të përfshirë nga ankthi i rritjes së cmimit të energjisë dhe karburantit në evropë, nuk janë detyruar ende të përdorin ngrohjen…Sidoqoftë, kjo mund të jetë edhe shenjë e motit që po ndryshon pas një vere që solli temperatura ekstreme në evropë, me zjarre të pakontrollueshme dhe me thatësira. Valët e të nxehtit janë bërë gjithnjë e më të shpehsta dhe më intensive. Ato zgjasin edhe më shumë dhe shkencëtarët fajësojnë për këtë dorën e njeriut. Bota është ngrohur me rreth 1.1 gradë celcius krahasuar me erën industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në të gjithë botën nuk do të ndërmarrin hapa për të reduktuar emetimet. Kombet e bashkuara kanë paralajmëruar se nuk ka gjasa që të mbahet rritja e temperaturave globale nën kufirin e caktuar më herët prej 1.5 gradësh celcius.