NJË SHOQËRI QË PËRPIQET PËR DEMOKRACI DUHET TË KUPTOJË RËNDËSINË E LIRISË SË FJALËS

Një shoqëri që përpiqet për demokraci duhet të kuptojë rëndësinë e lirisë së fjalës, tha kryeministri Dritan Abazoviq dhe theksoi se të drejtat e medias duhet të respektohen. Në konferencën rajonale për edukimin mediatik/digjital dhe dezinformimin e organizuar nga OSBE, ai tha se ka qëllime të ndryshme për të cilat Mali i Zi po punon për të përmirësuar kornizën legjislative të medias. Abazoviq tha se vendi është i përkushtuar në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në hapësirën online dhe përkujtoi se partnerët ndërkombëtarë e kanë mbështetur Malin e Zi në këtë fushë, duke ofruar ekspertizë në ligjet për media, veçanërisht Ligjin për shërbimin publik. Ai rikujtoi se Qeveria ka miratuar Strategjinë për Media për periudhën 2022-2026 dhe një plan veprimi për zbatimin e Strategjisë, si dhe se janë formuar organe ndërsektoriale që punojnë për zgjidhjen e sulmeve ndaj gazetarëve. Shefja e Misionit të OSBE-së në Mal të Zi, Dominik Vag, tha se sfera e lajmeve të rreme po rrënon shoqëritë demokratike dhe se është detyrë e gazetarëve t’i shërbejnë interesit publik dhe të respektojnë të vërtetën. “Ne gjithashtu do të mbështesim aktivitetet për të përmirësuar edukimin mediatik dhe për të ofruar mendim kritik,” shtoi Vag. Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Tereza Ribeiro, tha se media dhe gazetarët kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe se ky rol nuk mund të theksohet sa duhet. “Besimi i opinionit në media është shumë i rëndësishëm, ne duhet të vendosim një vijë të qartë midis asaj që është e saktë dhe asaj që është informacion i pasaktë,” tha Ribeiro, duke theksuar se lufta kundër dezinformatave nuk duhet të pengojë aksesin e lirë në informacion. Negjelko Rudoviq, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë për Media në Ministrinë e Kulturës, tha se nuk janë të paktë shembujt që tregojnë për pasoja të rënda socio-politike të shkaktuara nga dezinformatat. “Direkt apo indirekt shpeshherë janë bazë për ndërtimin e qëndrimeve kontradiktore që shërbejnë për të manipuluar publikun, ndonjëherë deri në rrezik të sigurisë për shoqërinë”, tha Rudoviq. Kryetari i Këshillit të Agjencisë për Media Elektronike (SAEM), Branko Boshkoviq, tha se ky institucion ka një rol të rëndësishëm në procesin e shuarjes së dezinformatave. Ai tha se SAEM u ofron qytetarëve njohuri dhe informacione në mënyrë që ata të përballen me lajme të rreme dhe dezinformata. “Ne po përpiqemi të zgjerojmë perspektivën në mënyrë që të krijojmë një skenë të fortë mediatike”, tha Boshkoviq.

SHARE